Poeti
dhe atdhetari ynë Baki Ymeri, pa e kursyer shpirtin që na e fali, mbeti
i paluhatshëm në shërbim të artit, të kulturës dhe të kombëtares, ngase
të gjitha historitë fillojnë nga arti dhe kultura, si arma më e
fuqishme për mbrojtjen dhe njohjen e identitetit kombëtar.
Nga Remzi Limani
Veprimtaria
atdhetare në fushën e artit dhe të kulturës - drejt njohjes së
identitetit kombëtar të një populli - është një rrugëtim i gjakimit të
engjëjve këmbëzbathur, një rrugë e gjatë nëpër egërsitë e kohërave të
thinjura të shtruara me jargë ujqërish. Nëpër këto rrugë, si shumë të
tjerë, ngarendi edhe shkrimtari ynë - Baki Ymeri, i cili me tërë qenien
e vet iu dha kauzës sonë madhore për të sotmen, i mbështjellë me
ngrohtësinë e ngjyrave kombëtare si harku i ylberit triumfal mbi
rrjedhën e lumit - duke kuptuar se arti dhe kultura, janë substancat
kryesore, thelbi dhe shpirti i një kombi a i një etnosi.
Sot,
kur mundësitë e avancuara mediale dhe potenciali tjetër krijues i
njeriut, është në avantazh të pakrahasueshëm me të kaluarën në kuptimin
e sensibilizimit të vlerave kombëtare në të gjitha fushat e kulturës,
si imperativ i momentit dhe i kohës sonë, për ta luftuar të keqen, na
shtynë që në vazhdimësi t`i mbajmë ndezur fanarët e dritave tona në të
gjitha fushat e arteve të bukura. Pra, me fanarin e tij prej krijuesi,
iluministi i kohës sonë të re - Baki Ymeri (1949), i lindur në
Shipkovicë të Tetovës dhe i njohur si poet, përkthyes, eseist dhe
publicist, tash me vendbanim në Bukuresht të Rumanisë, me veprimtarinë
e tij prej një atdhetari të devotshëm dhe krijuesi të mirëfilltë të
letrave shqipe, qëmoti u vesh me petkun kombëtar të cilin s’e hoqi
kurrë nga mendja dhe shpirti.
Pra,
i mbështjellë me ngrohtësinë e atdheut, ky krijues, me shpirt
altruisti, vazhdon rrugëtimin e tij drejt rrjedhës së lumit, për ta
shuar etjen tonë me imazhin e së vërtetës shqiptare, duke i shtruar
vlerat tona kombëtare anëpëranë botës së qytetëruar. Ky njeri i
veçantë, kurrë nuk u pajtua me të bëmat e së kaluarës dhe me ato të
sotmes, duke e luftuar në vazhdimësi të keqen, e cila akoma shpurdhë me
tendencë për t`i njollosur vlerat dhe të arriturat tona, që tashmë janë
të padiskutueshme. Këto të bëma djalli, Bakiu qyshkur i hetoi mbi
shpatullat e tij, i përndjekur dhe i dënuar me gjashtë vjet burg të
rëndë, në një proces të montuar politik nga Gjykata Komuniste e Qarkut
të Shkupit, sepse ai rridhte, mendonte, shikonte dhe fliste shqip, duke
mos u pajtuar kurrë me trajtimin e identitetit tonë kulturor dhe
kombëtar që trumbetohej në atë kohë të ligë e të mbështjellë me
suferinë, e cila shumë pak ishte në funksion të kulturës kombëtare e aq
më pak në funksion të së vërtetës e të vlerave të mirëfillta artistike
dhe asgjë në kërkim të së vërtetës.
Këto
padrejtësi dhe insinuata të ndryshme, Bakiut me kohë ia zuri syri dhe
mendja e tij, duke e kuptuar thelbin ose pjesën më thelbësore të
shoqërisë shqiptare, ku pjesa më e ndjeshme rreth dhe brenda nesh,
është pikërisht fryma krijuese e njerëzve të artit dhe të kulturës.
Krijuesi ynë, me plot dinjitet njerëzor dhe pa e kursyer shpirtin që na
e fali, mbeti i paluhatshëm në shërbim të artit dhe të kulturës, sepse
të gjitha historitë fillojnë nga arti dhe nga kultura, si arma më e
fuqishme për mbrojtjen dhe njohjen e identitetit tonë kombëtar.
Prandaj, me shkrimet e tija të shumta nëpër shumë revista, gazeta dhe
në masmediat rumune dhe shqiptare, e vazhdoi luftën e tij prej
intelektuali të dëshmuar kundër poligonit qitës, i cili në vazhdimësi
rrjedhë nga ujërat e zeza që burojnë nga toka e bajlozit të zi dhe
agjenturave të tjera sekrete të orkestruara nën psikozën e shkencës dhe
të urrejtjes për të zhvlerësuar çdo vlerë që shkëlqen në gjerdanin e kulturës shqiptare.
Që
nga viti 1971, Bakiu përkthen letërsinë tonë shqipe në gjuhën rumune
dhe anasjelltas. Deri më tash ka përkthyer dhjetra vepra të autorëve
shqiptarë nga Kosova, nga Shqipëria dhe nga diaspora shqiptare. Ai
është themelues i Shoqatës së Miqësisë Rumuno-Shqiptare dhe veprimtar
aktiv i Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, e cila
funksionon me tërë qenien. Poashtu, Baki Ymeri, është autor i qindra
artikujve të botuar për Kosovën dhe diasporën shqiptare, si dhe
bashkautor i dy monografive mbi sivëllezërit tanë në veri të Danubit (Shqiptarët e Rumanisë Tetovë, 1994, Emigracioni nga Maqedonia Perëndimore në Rumani, Shkup, 2004). Po ashtu, Bakiu është botues i dy revistave: Shqiptari/Albanezul dhe Kosova,
të cilat dalin në gjuhën shqipe dhe në atë rumune. Deri më tash ka
botuar një numër të konsiderueshëm vëllimesh me poezi, të cilat
gjithashtu janë të botuara në gjuhën shqipe dhe në atë rumune. Si
anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Rumanisë, është prezent në disa
antologji poetike. Për aktivitetin e tij krijues në dobi të shoqërisë,
Baki Ymeri, poet, publicist dhe patriot, është nominalizuar Njeriu i Vitit 2001 nga Instituti
Biografik Amerikan. Për kontributin e tij të pakontestueshëm në
afirmimin e Kosovës dhe vlerave letrare të autorëve tanë në gjuhën
rumune, RTK-ës e nderoi me një film dokumentar.
Puna
e tij krijuese, gjithmonë në shërbim të shqiptarizmit, madje, pse jo,
edhe të rumanizmit, e stolisi edhe me shumë mirënjohje tjera, nga të
cilat po e veçojmë Mirënjohjen nga Kombet e Bashkuara (Qendra për
të Drejtat e Njeriut, 1994), atë të laureatit të Urdhrit Kavalier i
Mioricës në Fokshan të Rumanisë (2006), çmimin e Mirënjohjes për
Kritikë Letrare nga klubi i shkrimtarëve “Drita” dhe drejtoria e
revistës letrare “Pelegrin”, Athinë (2006), Mirënjohjen (për donacion
dhe bashkëveprim) nga Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës
(2007) etj. I vetëdijshëm se e nesërmja jonë kërkon të mos pësojë
nga e sotmja, Bakiu vazhdon veprën e tij letrare, publicistike dhe
patriotike, duke mos u lodhur kurrë në kërkim të rrënjëve tona, dhe të
lashtësisë sonë të lavdishme, plot shkëlqim dhe admirim.